Ministrat e Financave të G7-s deklaruan sot se ishin të gatshëm të vendosnin sanksione ekonomike masive ndaj Rusisë në rast të një sulmi ndaj Ukrainës.
Ata e quajtën shtimin e forcave ruse në kufijtë e Ukrainës një çështje shqetësuese dhe se nëse një pushtim ushtarak ndodh, atëherë do të ketë një ndikim të shpejtë në Rusi.
“Ne ritheksojmë se, në veçanti, çdo agresion i mëtejshëm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës do të përballet me një përgjigje të shpejtë, të koordinuar dhe vendimtare”, thuhet në një deklaratë të përbashkët.
“Ne jemi të gatshëm të vendosim kolektivisht sanksione ekonomike dhe financiare që do të kenë pasoja masive dhe të menjëhershme në ekonominë ruse’’, thekson deklarata.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë ditët e fundit se shërbimet sekrete sugjerojnë se Rusia mund të planifikojë të pushtojë Ukrainën në çdo kohë.
Uashingtoni vlerëson se numri i trupave ruse rreth Ukrainës i kalon të 130 000 njësi.
‘’G7-a premton të vazhdojë mbështetjen e rëndësishme financiare për Ukrainën së cilës përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë Kievit 48 miliardë dollarë që nga viti 2014’’, thuhet në deklaratë.
Udhëheqësit perëndimorë janë përpjekur për të zbutur krizën, por bisedat e tyre me presidentin rus Vladimir Putin, përfshirë atë të presidentit amerikan Joe Biden, të shtunën, nuk kanë arritur asnjë përparim./ /os/