Kongresi miraton ligjin për paditjen e ngacmimeve seksuale në vendin e punës

0
71

Kongresi dha të enjten miratimin përfundimtar për ligjin që u mundëson personave që bëhen objekt i ngacmimeve seksuale në vendin e punës, të ngrenë padi në gjykatë.

Miratimi përbën një moment historik për lëvizjen #MeToo që nxiti një diskutim në shkallë vendi për mënyrën se si trajtohen akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale.

Ligji që pritet të nënshkruhet nga presidenti Joe Biden, ndalon që në kontratat e punës të përfshihen dispozita që u kërkojnë të punësuarve t’i zgjidhin rastet e sulmeve ose ngacmimeve seksuale përmes arbitrazhit dhe jo përmes gjykatës, një proces nga i cili shpesh përfitojnë punëdhënësit dhe që nuk lejon që akuzat për sjellje të papërshtatshme të bëhen publike.

Një aspekt i rëndësishëm i ligjit është natyra e tij retroaktive, duke bërë të mundur që një formulim i tillë të ndryshojë në kontrata në gjithë vendin dhe që ata që deri tani kanë qenë të detyruar t’i zbatojnë ato klauzola, të mund të ndërmarrin veprime ligjore.

Senatorja Kirsten Gillibrand, e cila ka drejtuar iniciativën ligjore, e quajti atë “një nga reformat më të rëndësishme në vendin e punës në historinë amerikane”.

Zonja Gilibrand tha se procesi i arbitrazhit është sekret dhe i njëanshëm dhe u mohon personave një të drejtë themelore kushtetuese: ankimin në gjykatë.

“Nuk do t’u thuhet më të mbijetuarave të sulmeve ose ngacmimeve seksuale se e kanë të ndaluar ligjërisht të padisin punëdhënësin e tyre meqenëse në kontratat e tyre të punës ishte klauzola e arbitrazhit të detyruar,” tha ajo.

Senatorja Gilibrand e paraqiti për herë të parë projekt-ligjin në vitin 2017 se bashku me Senatorin republikan Lindsey Graham.

Nisma pati një mbështetje jashtëzakonisht të gjerë dypartiake në një Kongres të ndarë. Kjo bëri të mundur që projekt-ligji të miratohej në Senat me pëlqim unanim – një procedurë e papërdorur thuajse asnjëherë për ligje të rëndësishme, veçanërisht si ky i fundit që prek dhjetëra miliona amerikanë. Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin këtë javë me mbështetje të fortë dypartiake, 335-97.

Ish-gazetarja e televizionit Fox News, Gretchen Carlson, e cila akuzoi shefin e atëhershëm ekzekutiv të rrjetit Roger Ailes për ngacmime dhe për dëmtimin e karrierës së saj kur ajo refuzoi, dëshmoi në mbështetje të legjislacionit. Disa kontrata të punonjësve të këtij televizioni përfshinin klauzola detyruese për arbitrazh.

Zonja Carlson, e cila doli së bashku me senatoren Gillibrand dhe senatorë të tjerë në një konferencë shtypi pas miratimit të projekt-ligjit në Senat, tha se kurrë nuk mund ta kishte imagjinuar, kur bëri publike akuzat e saj pesë vjet më parë, se kjo do të sillte një ndryshim në legjislacion që do të mbështetej si nga demokratët edhe republikanët.

“Marshimet në rrugë mund të na frymëzojë. Komentet në gazeta mund të na hapin mendjen. Solidariteti në mediat sociale mund të na elektrizojë, por ligji është e vetmja gjë mbetet,” tha zonja Carlson.

“Nëse ka një ligj që është shumë i vonuar, është pikërisht ky ligj”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Ai e quajti “pothuajse mesjetare” të detyrosh viktimat e ngacmimeve dhe sulmeve seksuale “të mbyllin gojën, të mos i tregojnë askujt dhe të mos kërkojnë drejtësi”.

Sipas kritikëve, natyra e fshehtë e arbitrazhit mbron kompanitë dhe autorët e sulmeve dhe i lejon korporatat të shmangin ndryshimin e rregulloreve ose të largojnë abuzuesit.

Mbrojtësit e procesit të arbitrazhit, përfshirë grupet e biznesit, kanë thënë se kjo është një mënyrë më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet sesa përmes procedurave të gjata në sallën e gjyqit.

Senatori Graham tha në Senat se nuk përbën dëm për bizneset që ata që ngacmohen në vendit e punës të trajtohen në mënyrë të drejtë.

“Kjo nuk është e keqe për biznesin. Është e mirë për Amerikën,” tha ai.

Senatori Graham tha në konferencën për shtyp se gjërat mund të mos shkojnë mirë aktualisht në Uashington, por se ky ligj është shenjë “se ka njëfarë shprese, për sa kohë që dëgjojmë njëri-tjetrin dhe përpiqemi ta bëjmë jetën më të mirë aty ku mund të gjejmë gjuhën e përbashkët”.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë në fillim të këtij muaji në mbështetje të projektligjit./ VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here