OBSH, kundër heqjes së menjëhershme të masave kufizuese
Vendet europiane kanë nisur njëri pas tjetrit heqjen e masave kufizuese kundër Covid-19, por OBSH-ja ju bën thirrje të tregohen të kujdesshëm.
Sipas OBSH-së nuk është veprim i matur heqja totale e masave dhe shpallja e fitores ndaj pandemisë, ndërkohë që koronavirusi vijon të përhapet në shifra të larta.
Pak ditë më parë ishte Danimarka ajo që hoqi kufizimet kundër Covid, përfshi këtu mbajtjen e maskës apo lirimin e orareve. Franca, Britania dhe vende të tjera evropiane janë duke ndjekur shembullin e saj.
Kreu i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se Omicron vijon të jetë ende i transmetueshëm dhe vdekjeprurës, duke iu bërë thirrje vendeve për të “mos i hequr të gjitha kufizimet në mënyrë të menjëhershme”.
Italia pret t’i shtohet listës së vendeve pa kufizime
Shumë shpejt, edhe Italia do të shpallë datat për heqjen e kufizimeve kundër Covid-19, pasi situata aktuale është duke u përmirësuar.
Shumë kufizime, përfshirë trafikun, për baret dhe restorantet tashmë janë lehtësuar për të vaksinuarit. Maskat janë ende të detyrueshme në ambientet e jashtme, por ditë pas dite shteti fqinj po ndjek rrugën e rihapjes totale.
Incidenti në Vatikan: I panjohuri ndërpret Papa Françeskun përmes akuzave
Një burrë i panjohur ka ndërprerë fjalimin dhe ka marrë vëmendjen e audiencës së Papa Françeskut në Vatikan, duke akuzuar kishën dhe vetë Papën.
“Kisha nuk është ashtu siç e do Zoti. Zoti të refuzon ty At, ti nuk je një mbret”- tha burri, teksa u shoqërua jashtë nga autoritetet. Ai nuk bëri rezistencë dhe i lutej Papës në spanjisht dhe italisht për çështje të paditura.
Papa Françesku e pa gjithë skenën dhe kërkoi të bëhej një lutje për të panjohurin.
“Dëgjuam pak më parë një person që bërtiste, shante, kishte një problem. Nuk e di nëse ishte fizik, psikik apo shpirtëror, por është një vëlla në vështirësi. Prandaj dua ta mbyll duke u lutur për të, për vëllanë tonë që vuan. Njeriu po vuante prandaj bërtiste. Le të mos refuzojmë nevojat e këtij vëllai tonë”.- u shpreh ai.
12 emigrantë gjenden pa jetë në kufirin Turqi- Greqi
12 njerëz kanë humbur jetën pasi kanë ngrirë nga i ftohti në një qytet të vogël të Turqisë, në kufi me Greqinë. Ministria e Brendshme turke akuzoi Greqinë duke e quajtur si “sjellje mizore” ngjarjen e ndodhur me emigrantët turq dhe iu drejtua BE-së duke e akuzuar për sjellje të butë ndaj Athinës.
Të dyja palët si Greqia ashtu dhe Turqia akuzojnë njëra-tjetrën.Ministri i Brendshëm turk shkroi në Twitter se trupat e gjetur ishin në mesin e 22 emigrantëve që u kthyen në Turqi nga rojet kufitare greke.
Nga imazhet e publikuara u pa se të paktën 8 prej viktimave nuk i kishin më as rrobat e trupit, fakt që e bën edhe më ç’njerëzore fundin e tyre tragjik.
Burimi: CNN, Reuters