29.8 C
Skopje

Muriqi lojtari më i ri në ishullin e bukur spanjoll

RCD Mallorca po kërkon të stabilizohet në elitën spanjolle të futbollit. Vjet luajti në kategorinë e dytë, parvjet në të parën e disa vjet më parë edhe në kategorinë e tretë. Aktualisht është në pjesën e poshtme të tabelës në La Liga, ndërsa shpreson se deri në fund të edicionit të mbledhë pikët e mjaftueshme për të mbetur në kampionatin elitar spanjoll. Shumë do të varet nga forma e sulmuesve. E Vedat Muriqit ndër të tjera.

Sulmuesi kryesor i Kosovës të hënën mbrëma është huazuar nga Lazio te Mallorca deri në fund të edicionit. Misioni i tij është i ngjashëm me klubin – stabilizimi i karrierës. Kthimi i saj në rrugën e duhur.

Nëse Mallorca mbetet në La Liga edhe Muriqi do të mbetet në ishullin e bukur spanjoll. Nëse Mallorca bie në kategorinë e dytë, Muriqi duhet të lëvizë sërish. Kjo nuk vlerësohet gjë e duhur për momentin të cilin prizrenasi po e kalon në karrierë. Ai po vuan nga mungesa e golave, po vuan për asistime dhe për të vendosur ndeshje.

Karriera e tij është në rënie dhe për të ndërprerë këtë vendosi të largohej nga Lazio, skuadra serioze e Serie A. Lazio për Itali është skuadër dukshëm më e madhe se Mallorca për Spanjë. Lëvizja e Muriqit mund të jetë hap prapa, por hap i domosdoshëm për të ardhmen e tij.

Ai këtë edicion regjistroi 11 paraqitje në Serie A, ndërsa kontribuoi vetëm me një asistim. Nuk ka shënuar as në tri ndeshje në Ligën e Evropës e një në Kupën e Italisë.

Muriqi te Lazio kaloi në mes të shtatorit të vitit 2020. Kishte shkëlqyer në Turqi dhe realizoi transferim të madh. Por doli të jetë jo më i qëlluari. Në edicionin 2020/2021 luajti 27 ndeshje në Serie A, ndërsa e realizoi vetëm një gol. Në Champion në pesë ndeshje nuk gjeti golin, ndërsa në dy ndeshje për Kupën e Italisë realizoi një gol e një asistim.

Te gjiganti turk, Fenerbahçe, luajti në edicionin 2019/2020. Shënoi 15 gola në 32 paraqitje kampionale. I kishte edhe gjashtë asistime. Në katër ndeshje për Kupë realizoi dy gola e një asistim.

Zhvillimi i 27-vjeçarit në karrierë ishte gradual. Karriera e tij ishte gjithnjë në ngritje, deri më tani. Nisi te Liria e Prizrenit, ndërsa më pas luajti për Teutën e Durrësit dhe Besën e Kavajës në Shqipëri. Në vitin 2014 iu bashkua futbollit turk ku luajti për Giresunsporin, Gençlerbirgligin, Rizesporin dhe Fenerbahçen.

Tani synon gola te Mallorca spanjolle. E di që te Lazio kanë pritur më shumë prej tij. Por edhe ai ka pritur më shumë sukses personal te skuadra italiane.

“Dua të falënderoj tifozët e vërtetë të Lazios për besimin, përkrahjen dhe respektin që kishin ndaj meje. Për fat të keq nuk kam mundur t’ua shfaq mjaftueshëm Vedatin e vërtetë në fushë. Faleminderit që e bëtë Romën shtëpinë tonë për mua dhe familjen time dhe që reflektuat dashuri për ne. Zemra ime dhe përkrahja ime do të jetë për ju në pjesën e mbetur të ligës”, ka shkruar Muriqi në një postim në rrjete sociale.

Lëvizja e Muriqit për në Spanjë është e rëndësishme edhe për Kosovën. Ai është lojtari kryesor ofensiv i “Dardanëve”. Në 37 paraqitjet e deritashme i ka realizuar plot 18 gola. Suksesi i Kosovës varet shumë nga forma e Muriqit. Ndonëse te Lazio ka luajtur pak, Muriqi te Kosova kryesisht ka qenë në formë të mirë. Por me kthimin e golave në nivel klubesh shtatlarti mund të jetë edhe më produktiv te Kosova.

Më 5 shtator mund të jetë debutimi i Muriqit në La Ligan spanjolle. Mallora e pret Cadizin. Është duel thuajse vendimtar në garën për ekzistencë. Mallorca është e 17-a aktualisht me 20 pikë. Cadizi i 18-ti me 18 pikë. Pozita e 18-të në fund të kampionatit dërgon në kategorinë e dytë. Deportivo Alavez, Levante, Getafe, Elsche e Granada vlerësohet konkurrentët direkt të Mallorcas. Skuadra e re e Muriqit ka qëndruar në La Liga prej vitit 1997 e deri në vitin 2013. Është kthyer vetëm në vitin 2019. Me Muriqin në përbërje shpresohet të nisë periudhë tjetër e stabilitetit.

TË FUNDIT

Kurti vizitoi bujqit e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, ka komentuar për kohën e të korrave në Kosovë. Kurti u...

Aksident i rëndë në Strumicë, lëndohen 13 persona, në mesin e tyre edhe një fëmijë gjashtë vjeçar

Trembëdhjetë persona janë lënduar nga përplasja e dy automjeteve të pasagjerëve me targa të Strumicës, e cila ka ndodhur dje pasdite në ora 16:20...

Në V.K. “Tabanoc” dhe “Bogorodicë” pritet deri në 30 minuta

Për shkak të frekuencës së shtuar të automjeteve, koha e pritjes për hyrje në vend prej VK “Tabanocë” për hyrje është rreth 20-30 minuta,...

Digjet një shtëpi në Pejë, pamje nga vendi i ngjarjes

Një shtëpi është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së dielës në qytetin e Pejës. Nuk dihet ende për numrin e të lënduarve apo shkaktarin e...