29.8 C
Skopje

Shkodran Tolaj, një udhëheqës që i jep jetë Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve

Intervistë me drejtorin Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkodran Tolaj

Intervistoi: Zamira Rexhepaj
Jeni i njohur si këngëtar i muzikës klasike, ndërsa keni performuar në skena të rëndësishme botërore, mirëpo në këtë intervistë do të përqendrohemi te aktiviteti juaj si drejtor i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Cila ishte nxitja që ju shtyri që ta merrni në menaxhim këtë ansambël?

E vërteta është që nuk është lehtë të bësh një menaxhim në mes karrierës individuale dhe asaj drejtuese dhe kolektive megjithatë mendoj se një individ që merr përgjegjësi të drejtojë çfarëdo lloj institucioni duhet të ketë ndërtuar veten, karrierën që më pas të orientohet me gjithë kapacitetin individual e profesional duke shfrytëzuar dhe njohjet personale për avancim dhe ngritje të një institucioni, posaçërisht kur kemi një ansambël që ka vetëm dy vite që është krijuar.
Personalisht nga fillimi i krijimit të ansamblit isha pjesë e bisedave, propozimeve për të qenë pjesë e tij por mbase u poqën rrethanat që në tetor 2019 kur pas dy ushtruesve të detyrës në atë pozitë të vendoset drejtori i parë me mandat përmes një konkursi në të cilin isha i vetmi kandidat që dorëzova veç të tjerash programin 4 vjeçar të punës së institucionit dhe me 12 nëntor 2019 m’u besua me vendim të Ministrisë së Kulturës, detyra e drejtorit.
Dallimi nga Kosova dhe Shqipëria është që në Maqedoninë e Veriut si tek ne ashtu dhe në ansamblin “Tanec” ansambli ka vetëm një drejtor i cili duhet të jetë muzicient i diplomuar dhe në rolin e drejtorit gjeneral vendosë për punën menaxheriale dhe artistike duke bartur mbi supe përgjegjësi jo të lehta.
Në vitin e parë vështirësitë ishin të mëdha sepse çdo gjë niste pothuajse nga zero në aspektin administrativ duke vendosur, rregullore pune, orare, dispozita pune por dhe në aspektin artistik kur duhej që me 36 punëtorët artistë të pranuar në punë të aplikohet programi. Fati deshi që fiks më 12 mars 2020 nisi pandemia dhe ishim institucioni i parë që ka nisur punën online duke realizuar të plotë programin artistik në fund të 2020-ës. Unë vetes dhe projekteve të mia i jam kthyer në shkurt të 2021-ës, pra pas një viti duke sjellur këngën “Nga Shkupi në Prekaz”, pastaj “Shkupi Dardan” në gusht 2021 dhe pjesëmarrjet në spektaklin “Këngë moj” në Tiranë. Natyrisht hapësira për projekte si artist zvogëlohet sepse për momentin fokusi kryesor mbetet në shfrytëzimin e gjitha kapaciteteve në ngritje të ansamblit që mendoj se deri më tani ka ecur me hapa të shpejtë.
Detyrën e drejtorit e konsideroj mision sepse ky institucion bart në vete sakrificën e brezave të tërë dhe realizimin e ëndrrës së tyre për një shtëpi kulturore e kombëtare të shenjtë që duhet konsoliduar dhe ngritur në nivel që do i bëjë krenarë gjithë shqiptarët.

Si është i strukturuar Ansambli, si funksionon së brendshmi?
Ansambli sot falë mbështetjes nga zv. kryeministri Grubi, sekretari Aziri ka arritur të ketë adresën e përhershme dhe zyrat ku janë administrata dhe zyra e drejtorit. Pjesa artistike vazhdon të punojë në ambientet e Armatës në RMV, sipas programit dhe planit, mujor dhe evenimenteve që parashihen që në janar për gjithë vitin.

Cilat janë ato shtyllat bazë të Ansamblit me të cilat mund të krenoheni?
Mund të krenohemi me emrat e mëdhenj që janë nderuar me mirënjohje të arta nga ansambli qofshin ata në jetë ose post mortum. Mund të krenohemi që kemi krijuar plisin e ansamblit dhe këtë plis e kemi shpërndarë në shumë vende të Katalonisë së Spanjës, Bullgarisë, Emirateve Arabe përfshirë ministra, drejtorë, përfaqësues të institucioneve të këtyre vendeve që janë mahnitur me kulturën tonë. Mund të krenohemi që ansambli ka instaluar shkollën shqiptare të vallëzimit nga Sadik Batku që i ka ngritur në nivel tjetër profesional vallëtarët. Mund të krenohemi që ansambli për arkivën shqiptare dhe për gjeneratat e ardhshme ka evidentuar krijimtarinë e Musa Piperkut, Lorenc Antonit, Trio Zajazit, Enver dhe Shaban Stafajt. Ka incizuar në studion më profesionale tre audio-CD. Janë realizuar dy koncerte për Pavarësinë e Kosovës, një në Prishtinë dhe një në Shkup – dedikuar 60-vjetorit të Ilir Shaqirit, ka jehuar fuqishëm muzika shqipe në Manastir, Kumanovë, Shkup, Tuz, Tetovë, Strugë, Gostivar, Kërçovë. Ka arritur të merret çmim i parë në festivalin ndërkombëtar në Veliko Tarnovo në Bullgari falë realizimit të valleve premierike të Rekës, Kërçovës, Prespës, valles së paqes e valles Malësorja.

Një ansambël shqiptar në një shtet si Maqedonia e Veriut, si po funksionon?
Të gjitha sukseset e ansamblit janë rezultat i një disipline dhe pune të pakompromis për stafin, rezultat i kontributit të madh të bashkëpunëtorëve nga Shqipëria e Kosova, i mbështetjes nga personalitetet e institucioneve kyçe në RMV çfarë është tregues se ansambli shqiptar ka ecur shpejt, sigurt, suksesshëm. Fakti që çdo koncert është transmetuar drejtpërdrejt në televizionet kryesore dhe ansambli ka krijuar mijëra adhurues në çdo vend ku jetojnë shqiptarë dhe programi artistik përkundër viteve dhe kushteve të rënda të pandemisë është realizuar 100% madje më tepër nga ajo që ka kaluar në Ministrinë e Kulturës tregon nivelin e lartë të funksionimit.

Si arrini të finansoheni, si mbaheni, cilat janë sfidat menaxhuese?
Programi artistik mbështetet tërësisht nga Ministria e Kulturës, por nuk ka munguar mbështetja nga komuna e Çairit në aktivitetet për 28 nëntor. Nuk kanë munguar dhe aktivitetet që janë organizuar nga zyra e zv. Kryeministrit dhe Ministria e Sistemit politik dhe marëdhënieve në mes bashkësive siç ishte rasti i koncertit për 20-vjetorin e marrëveshjes së Ohrit. Sfida më e madhe është numri i vogël i të punësuarve dhe nevoja për angazhim të stafit të jashtëm. Mungesa e kuadrove është më se evidente por si në çdo vend ngritja e kuadrove është proces që do kohë. Ansambli shqiptar do të nxisë ngritjen e kuadrove që i duhen folklorit shqiptar në RMV.

Pandemia ndryshoi shumë gjëra në jetën tonë. Kjo u reflektua edhe në punë e metoda pune, mirëpo ju nuk u ndalët. Zhvilluat paraqitje që ju ofruan online shikuesit. Si ishte kjo përvojë?
Përvojë e jashtëzakonshme që na ka mësuar të punojmë dhe funksionojmë ndryshe. Jo e lehtë për t’u aplikuar në 36 punëtorë që funksiononin nga ambiente të ndryshme, dërgonin audio e video që duhej më pas të bashkangjiten e të jenë në një koordinatë por ia kemi dalur me shumë sukses falë këmbënguljes dhe dëshirës që të jemi motiv i jetës dhe mesazh se jeta do të triumfojë. Gjatë pandemisë thënia “Qëndroni në shtëpi” në solidarizim të viktimave në vendet e prekura nga Covid-19 arriti të bëhet në shumë gjuhë të botës duke iu dërguar shumë ambasadave dhe kjo padiskutim që ka patur jehonën e vet.

Ansambli është tejet aktiv me repertoar e paraqitje në organizime të ndryshme sidomos gjatë kohëve të fundit. Ka shënuar edhe suksese duke u shpërblyer me çmime. Cilat aktivitete do t’i ndanit me lexuesit si më të veçantat?
Të gjitha kanë veçantinë e vet por në mënyrë të veçantë krijojnë emocion të veçantë paraqitjet jashtë shtetit ku kultura jonë e pasur u prit në mënyrë të jashtëzakonshme. I veçantë në tingëllimë, veshje, lëvizje, këngë arriti të jetë ansambli më i pikëtuar nga organizatorët, mediat andaj dhe në Bullgari arritëm të marrim çmim të parë. Përndryshe çdo eveniment ka rëndësinë dhe peshën e vet andaj iu falenderoj pa masë që na bëni pjesë të lexuesve të ObserverKult – it, një medium i shkruar që pasqyron vlerat reale të shqiptarëve.

Cili është bashkëpunimin me ansamblet e tjera simotra në Shqipëri e Kosovë?
Kemi bashkëpunim si me Kosovën ashtu edhe Shqipërinë. Ndihmohemi sa herë kemi nevojë dhe kemi një komunikim korrekt të nivelit institucional. Sokol Marsi dhe Ylber Asllanaj si drejtues artistik janë kolegë artistë të çmuar kontributi i të cilëve në ansamblin tonë çdo herë ka qenë tejet i rëndësishëm.

Sa janë të interesuar të rinjtë të angazhohen në ansambël?
Janë të angazhuar rreth 80% të rinj dhe interesimi i të rinjve është shumë i madh për të qenë pjesë e ansamblit duke marrë parasysh se është i vetmi institucion muzikor shqiptar në RMV. Ka të rinj të jashtëzakonshëm të cilët padiskutim në të ardhmen do t’i bashkangjiten ansamblit. Është me rëndësi të ceket se ansambli gjatë dy viteve ka ftuar shumë artistë dhe ka qenë i hapur për vlerat tona përfshirë artistë vendas dhe ata nga Kosova e Shqipëria. Në këtë rast do përmend Kastriot Tushën, Manjola Nallbanin, Miranda Hashanin, Ilir Shaqirin, Liliana Cingun, Ilir Lokun, Emin Xhaferit, Ardi Osmani, Mexhait Ramadani e shumë të tjerë.

Njiheni si punëtor i madh. Madje, e morët çmimin si “punëtori i vitit”, e në anën tjetër fare rrallë ju dëgjojmë duke e përdorur fjalën “artist” për vetveten?!
Se sa je artist tregojnë veprat që ne sjellim për publikun. Fjala artist për mua i shkon Nexhmije Pagarushës, Vaçe Zelës, Rexhep Çelikut dhe gjithë atyre që koha i ka “betonuar” si artistë të vërtetë! Ne kemi për të punuar pa pushim dhe me këtë moto të mundohemi të sjellim më të mirën. Çmimi “Best of the best” si artisti më i suksesshëm nga RMV për vitin 2021 ndarë nga Radio – Televizioni 21 ishte një nderim i jashtëzakonshëm duke dëshmuar se ky medium vlerëson punën, përpjekjen, artin… Jam i lumtur që në edicionin e katërt të spektaklit “Grand prix the best” isha unë fituesi në mesin e personaliteteve të fushave të ndryshme të artit shqiptar në RMV. Ky çmim është shtytje e përgjegjësi për të ecur me të njëjtën tempo me projekte të mëdha të cilat vitet e fundit janë mbështetur fuqishëm nga publiku shqiptar.

Cilat janë planet e juaja rreth ansamblit për këtë vit që sapo e kemi nisur, pra, përveç datave të shënuara, për të cilat e keni bërë traditë të bëni aktivitete gjithnjë, do të ketë risi ose aktivitete të shtuara në krahasim me vitin 2021?
Viti 2022 do të ketë risi në koncerte programore si “Dita e plisit”, do të ketë pjesëmarrje të rëndësishme jashtë shtetit që do veçoj Parisin si dhe valle premierë nga treva që preken për herë të parë. Do veçoj që sivjet ndryshe nga 2021 do realizohen tri monografi që përfundimisht edhe në formë të shkruar ansambli do të arkivojë të gjitha evenimentet që janë realizuar deri më tani.

TË FUNDIT

Kurti vizitoi bujqit e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, ka komentuar për kohën e të korrave në Kosovë. Kurti u...

Aksident i rëndë në Strumicë, lëndohen 13 persona, në mesin e tyre edhe një fëmijë gjashtë vjeçar

Trembëdhjetë persona janë lënduar nga përplasja e dy automjeteve të pasagjerëve me targa të Strumicës, e cila ka ndodhur dje pasdite në ora 16:20...

Në V.K. “Tabanoc” dhe “Bogorodicë” pritet deri në 30 minuta

Për shkak të frekuencës së shtuar të automjeteve, koha e pritjes për hyrje në vend prej VK “Tabanocë” për hyrje është rreth 20-30 minuta,...

Digjet një shtëpi në Pejë, pamje nga vendi i ngjarjes

Një shtëpi është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së dielës në qytetin e Pejës. Nuk dihet ende për numrin e të lënduarve apo shkaktarin e...