2.8 C
Skopje

Zaev largohet – për disa si hero e për disa si tradhtar

Deri nga mesi i janarit të vitit 2022, Maqedonia e Veriut do të ketë Qeveri të re, që do të udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski, kryetari i ri i Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Në krye të ekzekutivit, ai do ta zëvendësojë kryeministrin e deritashëm, Zoran Zaev.

Dorëheqjen nga Qeveria, Zaev e ka paralajmëruar më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social Demokrate në zgjedhjet lokale.

Ai ka marrë përgjegjësinë për humbjen e LSDM-së përballë partisë opozitare, VMRO DPMNE, dhe ka dhënë dorëheqje edhe nga drejtimi i partisë.

Por, dorëheqja e tij është vonuar për gati dy muaj, pasi LSDM-ja ka humbur edhe shumicën parlamentare, për shkak të largimit të Lëvizjes Besa nga Qeveria.

Për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, Zaev ka ftuar në Qeveri partinë tjetër shqiptare, Alternativa, me të cilën ka arritur marrëveshje për koalicion.

Më 11 nëntor, ai i ka mbijetuar edhe mocionit të mosbesimit, që është iniciuar nga VMRO DPMNE-ja.

Dimitar Kavaçevski, pasardhësi i Zoran Zaevit

Mandatin për formimin e Qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski e merr nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, brenda dhjetë ditësh pasi që Kuvendi ta njoftojë kreun e shtetit me vendimin se ka konstatuar dorëheqjen e Qeverisë së Zoran Zaevit.

Mandatari, sipas Kushtetutës, brenda 20 ditësh, duhet të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re qeveritare, e cila votohet me 61 vota të deputetëve. Shumica parlamentare numëron 64 deputetë.

Përveç Alternativës, pjesë e Qeverisë është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe disa parti më të vogla maqedonase, që janë pjesë e koalicionit me LSDM-në.

VMRO DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme

Opozita, që tani e përbëjnë VMRO DPMNE-ja, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, thotë se Qeveria e re, që është në formim e sipër, paraqet vazhdimësi të Qeverisë së deritashme – sipas saj, e paaftë për t’i zgjidhur problemet, me të cilat përballet vendi.

Opozita kërkon qeveri teknike, me mandat organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për dalje nga gjendja, në të cilën ndodhet vendi – në krizë të thellë politike, ekonomike, energjetike, diplomatike… kur kemi sërish veto dhe bllokim të procesit integrues. Zgjedhjet nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë, por ato janë të domosdoshme kur kemi Qeveri të paaftë që të përballet me sfidat, nëpër të cilat po kalon vendi”, thotë kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Në kërkojmë që në shkurt ose mars të formohet një qeveri teknike, ndërsa zgjedhjet e parakohshme të mbahen në maj apo qershor, kur populli do të vendosë për të ardhmen e Maqedonisë [së Veriut]”, shton ai.

Zoran Zaev, për disa hero, për të tjerët tradhtar

Zoran Zaev, në krye të Lidhjes Social Demokrate ka ardhur në vitin 2013, duke zëvendësuar në këtë post ish-presidentin Branko Cërvenkovski.

Në vitin 2015, Zaev, si lider i opozitës, ka publikuar atë që njihej si “Afera e përgjimeve”, e cila ka nxjerrë në pah shpërdorime të shumta të pushtetit nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Si pasojë e aferës, shumë zyrtarë të lartë, ministra, përfshirë edhe ish-kreun e Qeverisë, Gruevski, janë gjykuar për vepra të shumta penale.

Afera e përgjimeve ka bërë që në dhjetor të vitit 2016, Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ndërrimi i pushtetit është bërë në vitin 2017, pas zhvillimeve dramatike – përfshirë dhunën në Kuvend më 27 prill – ku në shënjestër të sulmeve nga ithtarët e opozitës që kanë pushtuar Kuvendin, ka qenë edhe vetë Zaev dhe përfaqësues të opozitës së atëhershme.

Kjo ngjarje i ka dhënë Zaevit epitetin e heroit te një numër i madh njerëzish, të cilët kanë çmuar rolin e tij për ndërrimin e pushtetit të Gruevskit, i cili jo vetëm nga opozita, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë është konsideruar si i korruptuar.

Në postin e kryeministrit, Zaev ka qëndruar pesë vjet, ndërsa paraprakisht, për nëntë vjet, ka qenë kryetar i Strumicës, një qytet në juglindje të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimi i emrit dhe anëtarësimi në NATO

E arritura tjetër që i atribuohet Zaevit nga mbështetësit e tij, e që ka pasur edhe mbështetje ndërkombëtare, është zgjidhja e mosmarrëveshjes gati 30-vjeçare me Greqinë, rreth emrit.

Për shkak të këtij kontesti, Maqedonia e Veriut ka qenë në dhomën e pritjes së NATO-s qysh në vitin 2008.

Me angazhimin e tij personal, së bashku me kryeministrin e atëhershëm grek, Alexis Tsipras, është arritur marrëveshja për emrin. Republika e Maqedonisë është bërë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Nga viti 2020, vendi është bërë edhe zyrtarisht anëtar i NATO-s.

Por, zgjidhja e kontestit ka bërë që opozita dhe një grup tjetër njerëzish t’i japin Zaevit epitetin e tradhtarit, duke thënë se ai “ka tradhtuar interesat kombëtare me heqjen dorë nga emri kushtetues i vendit dhe historia antike”.

Mosmarrëveshja me Bullgarinë

Pavarësisht kritikave, Zoran Zaev, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë, ka nisur përpjekjet për të zgjidhur një tjetër mosmarrëveshje me Bullgarinë – një tjetër vend fqinj i Maqedonisë së Veriut – që tashmë ka bllokuar integrimin evropian.

Zaev po largohet nga Qeveria, por i bindur se pasardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski, do të arrijë zgjidhjen e këtij kontesti, që kryesisht ka të bëjë me çështje që lidhen me gjuhën, identitetin maqedonas dhe të kaluarën historike.

Mbështetja dhe renditja ndërkombëtare

Qeverisja e Zaevit, shikuar nga prizmi i pozitës ndërkombëtare i Maqedonisë së Veriut, është pjesërisht e suksesshme.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Nikolla Gruevski, i cili ka marrë kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit të qeverisjes së tij, Zaev ka pasur mbështetjen e tyre.

Disa herë ka qenë në takime, ku ka marrë pjesë edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në Paris është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka siguruar se Maqedonia e Veriut e meriton fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Në vitin 2019, në Ohër, Zaev ka pritur sekretarin e atëhershëm amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

TË FUNDIT

Grubi: Gjysmëvjetori i dytë shkollor fillon me 1 shkurt

Nisja e gjysmëvjetorit të dytë për arsimin fillor dhe të mesëm shtyhet për 1 shkurt. Kështu ka informuar zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi përmes...

Zëvendëskryeministri i parë Grubi: Qeveria e re fillon punë menjëherë, na pret e ardhme më e mirë

Aktivitetet e ditës i vazhduam me vizitën tek presidenti i vendit, Stevo Pendarovski. Qeveria e re fillon me punë menjëherë sepse vjen një kohë e...

Sheshi i Laçit merr emrin e Presidentit turk, “Sheshi Erdogan”

Një shesh në qytetin e Laçit ka marrë emrin e Presidentit turk Reccep Tayip Erdogan në shenjë mirënjohjeje për rindërtimin e 522 banesave të...

Grubi: 17 janari i Skënderbeut është dëshmia më e mirë e gjenezës sonë të pastër kombëtare

17 Janari i Skenderbeut, i 40 vjetorit të LPK-së dhe i vëllezërve Gërvalla me Kadri Zekën është dëshmia më e mirë e gjenezës sonë...

Ali Ahmeti: Çdo Janar kujtojmë personalitetin më të madh të historisë sonë kombëtare, Gjergj Kastrioti Skënderbeun

Çdo Janar bëhemi bashkë në Sheshin Skenderbeu për të kujtuar personalitetin më të madh të historisë sonë kombëtare Gjergj Kastrioti Skenderbeun që me shekuj...