Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot ka marrë pjesë në hapjen e manifestimit “Ditët e Alfabetit”, i organizuar nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në bashkëpunim me Ministrinë për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive.
“Kënaqësi e veçantë që edhe këtë vit po bëjmë bashkë hapjen e manifestimit “Ditët e Alfabetit”, duke vazhduar një traditë të mirëfilltë të shënimit të përvjetoreve të një nga ngjarjeve më madhore në historinë e kombit tonë, Kongresit të Manastirit dhe krijimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kujtojmë rëndësinë e çasteve të veprimit që mbajtën të gjallë kodin tonë identitar dhe në këtë drejtim Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve po e kryen me përpikmëri misionin për të cilin është themeluar, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, për të hedhur dritë mbi faktet e pamohueshme të lashtësisë dhe autoktonisë sonë kombëtare, por edhe të jetë arkivi më të mire të memories sonë historike. “Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe”, do të thoshte dikur i madhi Mit’hat Frashëri. Fjalët e tij janë po aq të fuqishme edhe tani sa në kohën kur ai jetoi dhe veproi”, tha Zëvendëskryeministri i parë, Grubi.
Sipas tij, bashkë ia dolëm që sot në mënyrë institucionale të shënojmë festat tona kombëtare dhe të gëzojmë zbatimin e gjuhës sonë dhe të çdo të drejte kombëtare.
“Gjuha jonë e luftuar në çdo kohë ia doli të mbijetojë falë angazhimit të rilindasve, të shumë misionarëve dhe të çdo atdhetari që sot të jetë themel i të arriturave tona të reja, himn i zhvillimit, përparimit dhe vlerë e jashtëzakonshme e përfaqësimit në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Europian. Ashtu si dikur moti kur të panumërta ishin sfidat e mbijetesës së gjuhës sonë përballë tentativave të asimilimit të saj, ashtu edhe sot shqipja jonë është amanet që duhet ruajtur si sytë e ballit. Edhe pse jo rrallë here jemi përballur me peripecitë e zbatimit të gjuhës sonë, me cenzurimin e saj në çdo aspekt të jetës shoqërore, ne, të nderuar të pranishëm, me punë e përkushtim duke pasur frymëzim veprimin kombëtar të misionarëve të Kongresit të Manastirit, bashkë ia dolëm që sot në mënyrë institucionale të shënojmë festat tona kombëtare dhe të gëzojmë zbatimin e gjuhës sonë dhe të çdo të drejte kombëtare. Kemi shqipen tonë të bukur gjuhë zyrtare me Kushtetutë dhe ligj, shkolla e univerzitete që janë thesare të edukimit dhe krijimit të kuadrove për të çuar përpara misionet e reja kombëtare dhe shtetëtore. Përdorimin e saj e institucionalizuam edhe me Agjencinë për zbatimin dhe me Inspektoratin për vëzhgimin e implementimit të saj. Për çdo vit tanimë ndahet edhe çmimi shtetëror “22 Nëntori” për merita dhe kontribute të jashtëzakonshme të punës në rrafshin e jetës sonë kombëtare”, vlerësoi më tej Grubi