Edhe dy ditë nga përfundimi i fushatës zgjedhore lokale, partitë po japin maksimumin e tyre për të fituar qoftë edhe një votë më tepër se kundërshtari i tyre.
Ndonëse moti nuk mbajti edhe aq mirë sa duhet ditëve të fundit, partitë politike, sidomos ato shqiptare, bënë fushatë të zjarrtë para qytetarëve, duke prezantuar më të mirën që mund ta ofrojnë dhe mund ta realizojnë.
Dy partitë opozitare të cilat kanë lidhur koalicion për zgjedhjet lokale dhe garojnë së bashku, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë vizituar pothuajse të gjitha komunat ku kanë kandidat ndërsa gjatë ditës së djeshme ishin në qytetin e Dibrës, atje ku si kandidat i tyre është Bekim Pocesta përballë Hekuran Dukës së BDI-së.
Afrim Gashi, lideri i Alternativës, para qytetarëve kërkoi besimin e tyre dhe përmes votës, t’u japin mundësinë atyre të menaxhojnë me Dibrën dhe të japin më të mirën, ndërsa nëse nuk ndodhë kjo, atëherë pas katër viteve as që do të kërkojnë mbështetje përshkak se kanë dështuar.
Por vetëm një ditë më vonë, personi shumë i afërt i vet Afrim Gashit dhe i Alternativës, takohet për një kafe miqësore me kryetarin aktual dhe kandidatin për edhe një mandat të Dibrës, Hekuran Dukën.
Për takimin mes tyre njoftoi vet kryetari i Dibrës Hekuran Duka i cili përmes një fotografie të postuar në Facebook, shkroi se “miqtë e vërtetë dalin në përkrahje atëherë kur duhet t’ju jepet forcë dhe domethënie çështjeve të rëndësishme”.