Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar fushatën zgjedhore mbrëmë me tubimin në komunën e Sarajit, ku ka kërkuar mbështetjen për rizgjedhjen e Blerim Bexhetit kryetar të kësaj komune dhe përkrahjen për listat e kandidatëve për këshilltarë në komunën e Sarajit dhe Qytetin e Shkupit.
Banorëve të Sarajit iu drejtuan kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, kandidati për kryetar komune Blerim Bexheti, bartësi I listës së BDI-së për këshilltarë në Qytetin e Shkupit Ardijan Muça dhe bartësi i listës së këshilltarëve për Sarajin, Muhamed Ramadani.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka shprehur përkrahjen maksimale për Blerim Bexhetin, listat e këshilltarëve në krye me Ardijan Muçën për Qytetin e Shkupit dhe Muhamed Ramadanin për komunën e Sarajit. Ahmeti mes tjerash elaboroi edhe rëndësinë e agjendës së blertë që BDI e plasoi.
Kandidati për kryetar të komunës së Sarajit Blerim Bexheti ka numëruar projektet që janë prioritete të mandatit të ardhshëm për vazhdimësinë e proceseve të zhvillimit të të gjitha vendbanimet e Sarajit.
“Duke qëndruar para jush me gatishmërinë e plotë që të vazhdojmë të punojmë bashkërisht kërkoj të nderuar qytetarë besimin e juaj nën ombrellën e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Ali Ahmetit që të vazhdoj të udhëheq me komunën e Sarajit dhe të jeni të sigurtë, ashtu si ia dolëm këtë mandat, do t’ia dalim edhe mandatin tjetër dhe komuna jonë për çdo ditë, për çdo muaj, për çdo vit do të ketë standarde më të mira, më të avancuara dhe më cilësore” – tha mes tjerash në fjalimin e tij Blerim Bexheti.