Kush mendonte se Cristiano Ronaldo nuk kishte çfarë të jepte më për Manchester United, në këtë rikthim pas 12 vitesh, sigurisht që e ka pasur gabim.
Me 4 gola në tre ndeshje të luajtura me fanellën e “djajve të kuq”, Ronaldo u ka mbyllur gojën të gjithë kritikëve të këtij transferimi dhe është shndërruar menjëherë në “lokomotivën e trenit” të drejtuar nga norvegjezi Ole Gunnar Solskjaer.
CR7 ka bërë diferencën jo vetëm me golat e shënuar, por edhe me gjendjen e tij atletike, pasi në ndeshjen ndaj West Ham “u kap nga radari” teksa vraponte me 32.51 km/orë, shpejtësia më e lartë e regjistruar për lojtarët që shkelën në fushë gjatë atij takimi.
Sigurisht që kjo nuk është pak, madje është impresionuese për një futbollist pranë të 37-ave, aq më tepër kur mendon se “yje të tjerë kanë perënduar shumë më herët”, ndërsa Cristiano Ronaldo ka marrë përsipër sfidën të shkëlqejë sërish mbi “Teatrin e Ëndrrave”.