Në shënimin e 146-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kujtojmë një nga momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Më 10 qershor 1878, në qytetin historik të Prizrenit, u mbajt një kuvend që do të shënonte një hap të madh drejt ruajtjes së identitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Ky tubim u bë pas një periudhe të trazuar politike dhe sociale, ku shqiptarët u përballën me sfidat e hegjemonive të huaja dhe krizës së thellë politike në Perandorinë Osmane.
Intelektualë të shquar të asaj kohe, si Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, dhe Abdyl Frashëri, ishin në mesin e atyre që udhëhoqën dhe formuan Komitetin e Stambollit, i cili vepronte si një zë i fuqishëm për mbrojtjen e interesave shqiptare. Kuvendi i Prizrenit u shqua për unitetin e tij të palëkundur dhe vendosmërinë për të mbrojtur tokat shqiptare nga ndarjet dhe aneksimet.
Akti më i rëndësishëm i këtij kuvendi ishte themelimi i një organizate me karakter politik dhe ushtarak, që synonte të mbrojë me çdo mjet interesat kombëtare. Kuvendi gjithashtu miratoi një protestë drejtuar Kongresit të Berlinit, duke ngritur zërin kundër shkëputjes së krahinave shqiptare.
Kjo ngjarje historike jo vetëm që shënoi një fitore të madhe për lëvizjen kombëtare shqiptare, por gjithashtu vendosi themelet e një organizate kombëtare që do të ruante vlerat dhe aspiratat atdhetare të popullit shqiptar. Sot, kujtojmë me respekt dhe nderim të gjithë ata që kontribuan në mbrojtjen e identitetit dhe sovranitetit të Shqipërisë./politiko.mk